Përpjekjet e Ismail Qemalit për ndryshime politike pas kongresit të parë xhonturk
Kongresi i Parë xhonturk u mbajt në Paris më 4-9 shkurt 1902. Ky kongres përbënte një pikë kthese kritike në marrëdhëniet e shqiptarëve me Perandorinë Osmane. Refuzimi i vazhdueshëm i kërkesave të shqiptarëve për autonomi gjatë sundimit të Sulltan Abdyl Hamitit II bëri që ata t’i drejtoheshin lëvizjes xhonturke. Në kongresin xhonturk u parashtruan dy pikëpamje të rëndësishme. Pikëpamja e parë u hodh nga Ismail Qemali. Sipas tij, revolucioni nuk mund të bëhej vetëm me propagandë dhe botime, ndaj duhej siguruar që në veprimtaritë revolucionare të merrnin pjesë edhe forcat ushtarake. Ndërsa pikëpamja tjetër ishte se reformat duhet të bëheshin në vend duke kërkuar ndërhyrjen e shteteve evropiane. Në përputhje me vendimin e Kongresit të vitit 1902, grupi i “decentralizimit”, ku bënte pjesë edhe Ismail Qemali, u përpoqën t’i përdornin ushtarët osmanë për të arritur konstitucionalizmin. Marshall Rexhep Pashë Mati, komandanti i forcave osmane në Tripoli, filloi operacionin në përputhje me planin e përcaktuar më parë. Ndërsa dërgoi disa nga ushtarët nën komandën e tij në Selanik, ai kërkoi mbështetje edhe nga aleatët e tij, shqiptarët. Gjatë kësaj faze I. Qemali u takua me figura të rëndësishme britanike, greke dhe me Khedivin egjiptian dhe kërkoi mbështetjen e tyre në këtë proces. Britanikët ishin në dijeni të planit sekret dhe u premtuan revolucionarëve se do të fillonin një operacion detar për të mbuluar kalimin e Rexhep Pashës.
Shtypi shqiptar në epokën e dytë kushtetuese dhe qëndrimi i Portës së Lartë ndaj tij
Pas rishpalljes së Monarkisë Kushtetuese, më
23 korrik 1908, zhvillime të rëndësishme ndodhën ndërmjet Perandorisë
Osmane dhe shqiptarëve, si dhe në rajone dhe me elementë të tjerë etnikë.
Në ditët e para kur u përdorën gjerësisht parimet e lirisë, barazisë dhe
vëllazërisë, objektivi kryesor ishte bashkimi i elementeve etnike (ittihat-ı
anasır), por disa kërkesa që shkuan përtej qëllimit të tij filluan të tronditnin
më shumë ekuilibrin politik dhe social të qendrës dhe krahinave në mënyrë
efektive. Dihet se edhe personalitetet osmane me origjinë shqiptare luajtën
një rol të rëndësishëm në themelimin e Komitetit Bashkim dhe Përparim
dhe në lëvizjen xhonturke. Megjithatë, procesi i bashkëpunimit të ngushtë
ndërmjet shqiptarëve dhe Komitetit të Bashkimit dhe Përparimit mori një
formë të ndryshueshme dhe ciklike në varësi të zhvillimeve. Ky proces i
shkurtër bashkëpunimi u shfaq në klubet që shqiptarët formuan në kuadrin e
të drejtave të tyre kushtetuese, në gazetat që botonin dhe në shkollat që
hapën. Gazetat më të rëndësishme të shqiptarëve në periudhën në fjalë ishin:
Bashkimi i Kombit, Zgjimi i Shqipërisë, Shqiptari, Lirija, Drita, Korça, Tomori,
Besa etj. Në këtë studim, “Shtypi Shqiptar në Epokën e Dytë Kushtetuese
dhe Qëndrimi i Portës së Lartë Ndaj Tij” u shqyrtua nën dritën e
burimeve osmane dhe shqiptare.