Kalendarët e shqiptarëve
Kalendari i lashtë siç po e quajmë këtu ka qenë një kalendar origjinal, të cilin populli shqiptar e ka praktikuar deri vonë, e mbahet mend dhe sot. I vetmi deri më tani ka qenë studiuesi Rrok Zojzi që mori shënime nga populli për këtë kalendar. Duke qenë se studiuesi e ka publikuar njëherë ne nuk po ndalemi në të shumë gjatë. Në këtë punim fillimisht do të merremi me një problem që ka të bëjë me vendosjen e datave, pastaj do të paraqesim kalendarin në skicë dhe në fund datat e sakta të festave të lashta. Një kalendar i tillë tradicional, mijëra vjeçar, ka vlerë të madhe, kur ripunohet sepse pastaj mund të botohet sikur çdo kalendar tjetër dhe të jetë në dispozicionin tonë të paktën si vepër e artit popullor shqiptar. Ky kalendar është edhe dëshmi e një qytetërimi të veçantë shqiptar që dallon nga të tjerët. Siç shihet kalendari romak nuk ka ndikuar aspak mbi kalendarin e lashtë shqiptar. Madje kjo shihet edhe në përdorimin e tyre paralel, si kalendari i lashtë me emra burimorë shqip (p.sh. Kryet e motmotit) dhe kalendari romak zakonisht me emra krishterë (p.sh. Shëngjergji). Në të vërtetë kalendari i lashtë, siç e shtjelluam më lart, ka ndikuar në kalendarin romak në përdorim brenda Shqipërisë, duke i dhënë emra shqip disa muajve.Rrjedhimisht, kalendari i lashtë në formën e pastër siç është ruajtur është një pasuri e madhe e folklorit dhe qytetërimit shqiptar. Ndërsa kalendarët e tjerë, iliro-epirot dhe maqedonas, si dhe kalendari romak me ndikime nga folklori shqiptar, paraqesin gjithashtu një pasuri kulturore të së kaluarës iliroshqiptare.