Parimi themelor i drejtshkrimit të gjuhës shqipe
Që nga Kongresi i Drejtshkrimit (1972), shqipja standarde është konsoliduar ndjeshëm, duke përballuar sfida shoqërore, kulturore dhe politiko-ideologjike. Megjithë qëndrueshmërinë e saj, diskutimet për rishikimin e drejtshkrimit kanë vijuar, shpesh të udhëhequra nga propozime të pjesshme dhe pa një bazë të re teorike. Ky studim argumenton se problemi themelor që ushqen konfuzionin dhe skepticizmin gjysmëshekullor qëndron në formulimin e pasaktë të parimeve të drejtshkrimit në Rezolutën e Kongresit dhe në bibliografinë që vijoi as tij. Konkretisht, përcaktimi i parimit «fonetik» si parim themelor dhe njohja e të ashtuquajturit parim «morfologjik» janë teorikisht të papërcaktuara dhe kontradiktore. Duke u mbështetur në studimet e grafematikës, autori argumenton se parimi themelor i çdo drejtshkrimi, përfshirë shqipen, është parimi fonologjik. Ndryshe nga parimi fonetik (që do të kërkonte shkrimin e tingujve ashtu siç shqiptohen në të folur), parimi fonologjik siguron qëndrueshmërinë duke lidhur grafemën me fonemën, e jo me realizimet e saj fonetike të ndryshueshme. Kjo rrëzon ekzistencën e një parimi të veçantë morfologjik në shqip, pasi ruajtja e pamjes së morfemave (p.sh., shkrimi i -së së patheksuar) nuk bëhet për hir të morfologjisë, por sepse ajo është pjesë e përbërjes fonematike të fjalës. Kuptimi i saktë i parimit fonologjik ka rëndësi praktike vendimtare: ai shërben si mburojë teorike kundër ndërhyrjeve arbitrare për reforma të pambështetura, duke siguruar kështu qëndrueshmërinë e kodit komunikativ të shqipes standarde.