Neologjizmat dhe planifikimi leksikografik në gjuhën shqipe
Neologjizmat janë një nga treguesit më të dukshëm të zhvillimit leksikor. Ky punim trajton rëndësinë e neologjizmave, duke u përqendruar në identifikimin, stabilizimin dhe institucionalizimin e tyre në burimet normative dhe leksikografike të shqipes. Studimi ndërthur trajtimin teorik me disa vëzhgime korpusore për të shqyrtuar marrëdhënien ndërmjet përdorimit real të gjuhës dhe planifikimit leksikografik. Në punim shqyrtohen qasjet kryesore teorike mbi neologjizmat, duke përfshirë dallimin ndërmjet neologjizmave leksikorë dhe semantikë, si edhe modelet e leksikalizimit dhe institucionalizimit në literaturën bashkëkohore. Vëmendje u kushtohet kritereve për vlerësimin e tyre, si nevoja komunikative, transparenca semantike, integrimi morfologjik, frekuenca dhe përhapja në ligjërime të ndryshme, si dhe sfidave metodologjike të identifikimit të neologjizmave, sidomos në kushtet e zhvillimeve në përpunimin e gjuhës natyrore. Në korpusin sqTenTen (Sketch Engine) është kryer një vëzhgim mbi një neologjizëm leksikor dhe një semantik. Të dhënat e nxjerra mund të shërbejnë si tregues të rëndësishëm për vlerësimin e shkallës së institucionalizimit të njësive të reja dhe përfshirjen e tyre në fjalorët bashkëkohorë të shqipes. Punimi nxjerr në pah se shqipja ende nuk ka struktura të qëndrueshme për monitorimin sistematik të neologjizmave. Zhvillimi i korpuseve kombëtare, i burimeve digjitale dhe i metodave të përpunimit të gjuhës natyrore paraqitet si një hap i rëndësishëm drejt një modeli më të mbështetur në të dhëna empirike për planifikimin leksikografik. Në përfundim, theksohet nevoja për një qasje më sistematike ndaj vëzhgimit, vlerësimit dhe trajtimit të neologjizmave në gjuhën shqipe.